Ukraina ka përjetuar sulmin më të madh ajror me dronë nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022, sipas një vlerësimi të Ushtrisë ukrainase. Sipas forcave ajrore të Ukrainës, gjithsej 273 mjete ajrore pa pilot u lëshuan nga Rusia gjatë natës, duke shënuar një shifër rekord.
Ky sulm ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të regjistruar më 23 shkurt, kur ishin raportuar 267 dronë. Rajonet e Dnipropetrovskut dhe Donetskut ishin ndër më të shënjestruarat gjatë sulmeve të natës.
Ukraina njoftoi se kishte rrëzuar 88 dronë, ndërsa 128 të tjerë nuk arritën të realizonin objektivat e tyre.
Megjithatë, ushtria ukrainase nuk ka zbuluar detaje mbi dëmet e mundshme ose vendet e shkatërruara, në përputhje me protokollin e saj të zakonshëm të sigurimit.
Sulmi i fundit ndodhi vetëm disa ditë pasi Rusia dhe Ukraina zhvilluan bisedimet e para direkte për paqe në Stamboll, që nga fillimi i pushtimit. Gjatë bisedimeve, palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve dhe për negociata të mëtejshme për një armëpushim.
Megjithatë, Moska ka hedhur poshtë thirrjet e Ukrainës, SHBA-së dhe aleatëve evropianë për një ndalim të armiqësive, duke kërkuar një marrëveshje më të gjerë.