KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar së fundmi në lidhje me sulmin e regjistruar pak pas mesnatë në komunën e Zveçanti. Kurti në reagimin e tij ka dënuar sulmet që po bëhen ndaj institucioneve në veri ndërsa theksoi se ato kanë qëllim vetëm të mbjellin frikë. Ai shtoi se këto sulme janë shprehje e pafuqisë së disa keqbërësve.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, që nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Shprehje e pafuqisë së tyre, akte terrorizimi, që kanë qëllim të mbjellin frikë”, u shpreh Kurti.
Ai tha se në Kosovë nuk mund të ketë as individë e as struktura që janë më të fuqishme se sa shteti i pavarur i Kosovës. Sulmin e ka dënuar edhe ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi. Në një reagim të bërë në Facebook, ai ka shkruar se mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit.
“Dënoj fuqishëm sulmin kriminal e qyqar ndaj objektit të Komunës së Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim. Sulmet e tilla nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqënien për të gjithë qytetarët tanë. Republika nuk zmbrapset”, shkroi ai.