Kroacia siguron finalen e Nations League. Kombëtarja ballkanase mposhti në kohën shtesë me shifrat 2-4, Holandën, brenda ne Roterdam! Edhe pse luanin në shtëpi, holandezët nuk mundën të festonin përballë publikut të tyre me kroatët që në fushë shfaqën një dëshirë më të madhe për triumf.
Sa i përket kronikës së ndeshjes, ishin “Tulipanët” që kaluan të parët në avantazh me anë të Maalen në minutën e 34-të. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ronald Kuman e mbylli në avantazh fraksionin e parë, ndërsa në të dytën, skenarët ndryshuan. Kroatët dolën nga dhomat e zhveshjes me një marsh më shumë, teksa ballkanasit fillimisht barazuan në minutën e 54-të me anë të Kramaric që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Kur pritej një reagim i Holandës, miqtë shënuan sërish duke marrë avantazhin në të 72-tën me anë të Pasalic që në brendësi të zonës nuk gaboi. Në minutat e mbetura, Holanda u hodh e gjitha në sulm për të gjetur golin e barazimit dhe në fakt ia doli kur shënoi në minutën e 97-të me anë të Lang.
Në këtë formë, sfida shkoi në shtesë, aty ku në minutën e 100-të, Kroacia u rikthye sërish në avantazh. Ai që shënoi ishte Petkovic me një goditje preçize nga distanca. Në minutën e 116-të, Malacia gaboi dhe shkaktoi një penallti pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Petkovic.
Nga pika e bardhë, Luka Modric nuk gaboi dhe shënoi golin e katërt dhe atë që mbylli përfundimisht ndeshjen me rezultatin 2-4. Tashmë, në finalen e së dielës mbrëma, ballkanasit presin fituesin e çiftit Spanjë-Itali.