Takimi me senatorët amerikanë/ Osmani: Serbia duhet t’i dorëzojë autorët terroristë të sulmit në Banjskë të Zveçanit

0

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch. Osmani pas takimit në një konferencë për media ka thënë se me dy senatorët amerikanë kanë biseduar për zhvillimet e fundit në veri.

“Çdo vizitë e zyrtarëve nga SHBA është një dritare e re për avancimin, konkretizimin të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Senatorë dua të ju falënderoj për mbështetjen dhe angazhimin për të ndihmuar vendin tonë, rajonin tonë, dhe për të krijuar stabilitet. Natyrshëm që biseda jonë u përqendrua për zhvillimet e fundit në vend, në veçanti në aktin terrorist kundër Kosovës të organizuar dhe sponsorizuar nga Serbia dhe të kryer nga grupe terroriste”, është shprehur ajo.

Presidentja Osmani deklaroi se dy senatorët i ka informuar për sulmin terroristë më 24 shtator, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Senatorët i informova për rrjedhën e ngjarjes, për dëshmitë e siguruara nga institucionet tona dhe si dhe hapat që Kosova në koordinim me partnerët e saj që po ndërmerrë për të tejkaluara sfidat e sigurisë. Synimet e këqija të Serbisë nuk mjaftohen vetëm me Kosovën, por janë paralajmërim i qartë se Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi ajo.

Gjithashtu ajo tha se regjimi i Vuçiçit jo që nuk distancohet nga veprimet terroriste, por ka vendosur që të ju ofrojë mbrojtje.

“Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët në Kosovë. Do të kërkojmë drejtësi për heroin Afrim Bunjaku. Republika e Kosovës është e palëkundur”, tha ajo.

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë. Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues. Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator. Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli. Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu