Krerët e qeverisë së re talebane të Afganistanit kanë shprehur angazhimin e tyre për t’iu përkushtuar arsimimit dhe punësimit të vajzave dhe grave, një distancim i dukshëm nga koha e tyre e mëparshme në pushtet. Ministri i Jashtëm afgan Amir Khan Muttaqi shprehet se, qeveria talebane dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet dhe nuk ka asnjë problem me Shtetet e Bashkuara. Ai i kërkoi Uashingtonit dhe vendeve të tjera të çlirojnë më shumë se 10 miliardë dollarë fonde që u ngrinë kur talebanët morën pushtetin më 15 gusht, pas një shtrirjeje të shpejtë ushtarake në të gjithë Afganistanin dhe arratisjes së papritur dhe sekrete të Presidentit të mbështetur nga SHBA-ja, Ashraf Ghani.
Muttaqi pranoi zemërimin e botës ndaj kufizimeve të vendosura nga Talibanët për arsimimin e vajzave dhe për gratë në fuqinë punëtore. Në shumë pjesë të Afganistanit, nxënëset e shkollave të mesme nga klasa e shtatë deri në 12 nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë që kur talebanët morën pushtetin, dhe shumë nëpunësve civile femra u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Zyrtarët talebanë kanë thënë se u duhet kohë për të krijuar rregullime të ndara gjinore në shkolla dhe vendet e punës që plotësojnë interpretimin e tyre të ashpër të Islamit.