Universitetet në Afganistan do të ndahen sipas gjinisë, dhe respektimi i kodit islamik të veshjes do të jetë i detyrueshëm, njoftuan talibanët sot.
Ministri i Arsimit të Lartë, Abdul Baqi Haqqani, tregoi se gratë do të lejohen të studiojnë, por jo përkrah burrave.
“Falë Zotit kemi një numër të madh mësuesish.Ne nuk do të përballemi me asnjë problem. Do të bëhet çdo përpjekje për të gjetur mësuese femra për studentet,” tha ministri taliban në një konferencë shtypi në Kabul.
Ai gjithashtu njoftoi një rishikim të lëndëve që zhvillohen në auditore.
Gratë dhe vajzat u ndaluan të shkojnë në shkollë dhe universitetet nën sundimin taliban midis viteve 1996 dhe 2001.
Njoftimi i politikës së arsimit të lartë vjen një ditë pasi talibanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial, duke sinjalizuar fillimin e administrimit të tyre.
Çështja e arsimimit të grave është bërë një nga pyetjet qendrore me të cilat ballafaqohen talibanët, ndërsa përpiqen të bindin komunitetin ndërkombëtar se kanë ndryshuar që nga sundimi i ashpër fundamentalist që ata vendosën në vitet 1990, kur grave u ndalohej të studionin ose punonin jashtë shtëpisë.
Zyrtarët talibanë kanë thënë se gratë do të jenë në gjendje të studiojnë dhe punojnë sipas ligjit të Sheriatit dhe traditave kulturore të vendit, por do të zbatohet kodi i rreptë i veshjes.
Haqqani tha se hixhabi do të jetë i detyrueshëm për të gjitha studentet.
Ai tha se në rastet kur mësuesit nuk janë në dispozicion, do të merren masa të veçanta për të siguruar që të ketë një ndarje midis nxënësve femra dhe meshkuj.
Aty ku kërkohet, klasat do të ndahen me një perde në mënyrë që nga njëra anë të ketë vajza dhe nga ana tjetër studentë meshkuj.
Klasat e ndara me perde tashmë janë shfaqur në shumë pjesë të vendit që nga rënia e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi dhe marrja e pushtetit nga talibanët muajin e kaluar.
Haqqani u tha gazetarëve se ndarja gjinore do të zbatohej në të gjithë Afganistanin dhe se të gjitha kurset e kolegjit do të rishikohen në muajt e ardhshëm.