Mosmarrëveshjet që kanë pasur më herët, siç duket janë sheshuar, pasi kryeministri Edi Rama ka pritur Ramush Haradinajn në zyrën e tij për një takim lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.
Në fotot e postuara nga Haradinaj dhe Rama, të dy shfaqen të përqafuar dhe të buzëqeshur teksa, Haradinaj shkruan se diskutimi kishte qenë lidhur me marrëveshje të gjithëanshme mes dy vendeve.
Postimi i Plotë nga kreu i AAK, Ramush Haradinaj:
Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama.
Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë.
Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale.