Temperaturat e larta shtojnë numrin e insekteve, mjekja: Çfarë duhet të dini për pickimet gjatë verës

0

Me rritjen e temperaturave, numri i insekteve në ambient është shtuar, duke sjellë edhe rritje të rasteve të pickimeve që po drejtohen drejt mjekëve të familjes.

Antia Haxhiraj, mjeke në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr.10, shpjegon se me ngrohjen e motit, janë shtuar edhe pacientët me reaksione alergjike ndaj pickimeve të insekteve.

“Rastet më të shpeshta janë nga mushkonjat, ca miza të vogla, bletët, grerëzat, dhe në raste më të rralla, nga milingonat e zjarrit, të cilat janë më të përhapura në plazhe,” thotë mjekja Haxhiraj.

Pickimi i insekteve mund të shkaktojë simptoma të ndryshme, nga reaksione të lehta që mund të trajtohen në shtëpi, deri te alergjitë serioze që kërkojnë ndërhyrje mjekësore.

“Shumica e rasteve janë reaksione lokale në zonën e pickimit, si skuqje, kruarje dhe ënjtje. Megjithatë, në raste më të rralla, mund të shfaqen manifestime sistemike, si zgjerim i plagës, probleme me frymëmarrjen, ose përhapje e ënjtjes në zona të tjera të trupit. Këto raste kërkojnë menjëherë trajtim spitalor,” thekson mjekja.

Në rast pickimi nga mushkonjat dhe mizat e vogla, nuk nevojitet kujdes i veçantë, përveç vendosjes së kompresave me ujë të ftohtë.

Në rast pickimi nga bleta, zona duhet të lahet me ujë dhe sapun, dhe të vendoset kompresë e ftohtë për të reduktuar ënjtjen.

Në asnjë rast nuk duhet të kruhet vendi i pickimit për të shmangur infektimet. Nëse është e dukshme thumbi, duhet nxjerrë me kujdes.

Edhe pse më të rralla, gjatë verës rritet edhe rreziku i pickimit nga gjarpërinjtë, për të cilin duhet kërkuar menjëherë ndihma mjekësore në qendrat spitalore.