Tender me shkresa false, KLSH zbulon mashtrimin në Bashkinë e Durrësit

0

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljes në procedurat e prokurimit për  rikonstruksionin e shkollës ’14 Nëntori’ në Durrës.

Në raportin e auditimit thuhet se prokurimi duhet të ishte anuluar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për shkak të shkeljeve, raporton Ora News.

Në garë kanë marrë pjesë 7 kompani nga të cilët gjashtë janë skualifikuar për shkak të kritereve.

Sipas KLSH kompania e përzgjedhur duhej skualifikuar duke nënvizuar se bashkimi i operatorëve ka bërë deklarim të rremë të makinerive dhe stafit që disponojnë për kryerjen e punimeve.

Bëhet fjalë për kompaninë “Rajli Ndërtim SHPK” dhe “Varaku SHPK”, të cilat sipas të dhënave në QKB janë në pronësi të Enkelejda Gojashit, Lediana Matës dhe Shpëtim Varakut.

Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se kompania fituese ka lidhur dy kontrata të tjera me Bashkinë Durrës për të njëjtën periudhë dhe kanë paraqitur të njëjtat makineri dhe fuqi punëtore, të cilat mund të kenë ndikuar edhe në cilësinë e kryerjes së punimeve.

Në bilancet e operatorëve fitues nuk figurojnë në inventar të gjitha mjetet të cilat kompanitë pretendojnë se i disponojnë dhe mungon bilanci i pagesave të taksave vendore.

Nga auditimi rezulton gjithashtu se dokumentet e tenderit janë kryer pa numër protokolli, ka parregullsi në hartimin dhe miratimin e DST, specifikimeve teknike dhe kritereve për kualifikim.

Një tjetër shkelje e konstatuar lidhet me zbatimin e kontratës, e cila është lidhur me afat 170 ditë dhe është shtyrë me 60 ditë, pasi subjektet kanë paraqitur faturat me vonesë.

Më tej në raportin e KLSH thuhet se të gjitha punimet janë kryer vetëm nga njëri prej operatorëve ekonomik çka vërteton se kontrata mes tyre ka qenë vetëm për plotësimin e kritereve të vendosura në DST, duke dëmtuar konkurrencën e drejtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu