Bashkitë në vend po miratojnë tenderat pa garë në lidhje me dekorimin e qendrave për festat e fundvitit. Ora News shkruan se në Shkodër, Lezhë si dhe Korçë, bashkitë kanë miratuar procedura vetëm me një pjesëmarrës, ndërkohë që në Fier si dhe Mallakastër bashkitë kanë detyruar që të anulojnë tenderat për shkak se kompanitë nuk kanë marrë pjesë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, në tenderin e Bashkisë Korçë me objekt “Dekore për festat” dhe me fond limit 2.9 milionë lekë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, shoqëria “Iceberg Communication” sh.p.k me administratore shtetasen Rafaela Rica. Kjo kompani ka ofruar 43 mijë lekë më pak se fondi limit për dekorimin e qytetit.
Nga dokumentet rezulton gjithashtu se shoqëria “Iceberg Communication” është përzgjedhur dhe nga bashkia e Shkodrës për blerjen e aksesorëve për dekorim. Edhe kjo procedurë është zhvilluar pa garë pasi ka vetëm një pjesëmarrës, i cili ka ofruar 1.2 milionë lekë për materialet e zbukurimit. Ndërkohë, e njëjta situatë paraqitet dhe në Bashkinë e Lezhës. Kompania e vetme pjesëmarrëse në garë është “Stella” sh.p.k me administrator shtetasin Lirim Torba. Në total për dekorimin e qendrave të qyteteve nga këto Bashki do të shpenzohet një fond prej 5.8 milionë lekësh.