Tension në Azerbajxhan, dy diplomatë francezë shpallen “non-grata” dhe dëbohen nga vendi

0

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka njoftuar këtë të martë se ka urdhëruar largimin e dy diplomatëve francezë për shkak të veprimeve “të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

​Ministria përmes një deklarate tha se kishte thirrur ambasadoren franceze, Anne Boillon, për t’i shprehur një “protestë të fortë për veprimet e dy punonjësve të ambasadës franceze”.

Në deklaratë thuhej më tej  se të dy diplomatët ishin shpallur persona non grata dhe ishin urdhëruar të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vendimi vjen pas marrëdhënieve të tensionuara midis dy vendeve pasi Bakuja e ka akuzuar Francën se është treguar e njëanshme ndaj Armenisë gjatë bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga evropianët.

Në nëntor, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e akuzoi Francën për nxitje të konflikteve në Kaukaz përmes furnizimit me armë të Armenisë. Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dy luftëra për rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut.

Azerbajxhani e rimori kontrollin e rajonit në shtator pas një ofensive të rrufeshme kundër separatistëve armenë që e kishin kontrolluar zonën për tre dekada.

Armenia dhe Azerbajxhani kohë më parë  ishin shprehur lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe deri në fund të vitit, por negociatat midis ish-republikave sovjetike të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët kanë bërë pak përparime.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, dhe zoti Aliyev janë takuar disa herë për bisedime me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por në tetor, zoti Aliyev refuzoi të merte pjesë në negociatat në Spanjë me zotin Pashinyan, lidhur me atë që ai tha se ishte “qendrim i njëanshëm i Francës”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do t’i ndërmjetësonin bisedimet së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Strehë e një diaspore të madhe armene, Franca është akuzuar vazhdimisht nga Azerbajxhani për njëanshmëri pro-armene lidhur me konfliktin territorial të vendeve të Kaukazit.

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu