Tensione në qendër të Stambollit, policia ndalon marshimin e opozitës në mbështetje të Palestinës (VIDEO)

0

Atmosferë e tensionuar është regjistruar mbrëmjen e djeshme pas orës 19:00 në zemër të Stambollit, pasi përkrahës të opozitës kryesore turke, Partia Popullore Republikane (CHP), u përpoqën të organizonin një marshim solidariteti me popullin palestinez.

Marshimi, i planifikuar të përfundonte në sheshin qendror Taksim, u ndërpre nga forcat e policisë, të cilat vendosën barrikada për të ndaluar hyrjen e protestuesve në shesh. Autoritetet ndërhynë gjithashtu në rrugën kryesore të Perës, ku ishte planifikuar nisja e tubimit, duke shpërndarë grumbullimin me argumentin se prefektura nuk kishte dhënë leje zyrtare për mbajtjen e protestës.

Në kuadër të masave parandaluese, u mbyllën edhe stacionet e metrosë që çojnë në zonën e Taksimit, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët dhe duke nxitur reagime në rrjetet sociale.

Ozgur Çelik, kreu i degës provinciale të CHP-së në Stamboll, reagoi menjëherë pas ndalimit të marshimit, duke deklaruar se partia do të ndërmarrë hapa ligjorë kundër atyre që dhanë urdhrin për shpalljen e paligjshme të tubimit.

“Qytetarët kanë të drejtën kushtetuese për të shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore. Ne do të kërkojmë drejtësi për këtë shkelje të hapur të të drejtave demokratike,” u shpreh Çelik për mediat.

Ngjarja ka ndezur debat në opinionin publik dhe politik në Turqi, duke rikthyer vëmendjen te liria e shprehjes dhe kufizimet ndaj protestave publike, sidomos kur ato lidhen me çështje ndërkombëtare si ajo e konfliktit izraelito-palestinez.