Tentuan ta marrin peng, i riu ia mbath me vrap…qëllohet me 5 plumba, por shpëton! Arrestohet një 24 vjeçar, 4 të tjerë në kërkim

0

Zbardhen detaje të reja për ngjarjen e ndodhur 3 ditë më parë, ku 31-vjeçari Klajdi Sulo mbeti i plagosur. Burime bëjnë me dije Sulo ishte tentuar që të merrej peng nga një grup të rinjsh të përbërë nga 5 persona. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos.

I gjithë grupi është identifikuar, ku është vënë në pranga njëri prej tyre, teksa 4 të tjerët janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin e identifikuar me iniciale Xh. S., teksa janë në kërkim nga policia E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katërt banues në Patos.

Sulo i ka shpëtuar rrëmbimit. Të rinjtë kanë tentuar ta fusin me forcë në një makinë, por ia ka dalë të shpëtojë duke ia mbathur me vrap. Për pasojë, ai është qëlluar 5 herë duke marrë plagë në pjesën e legenit dhe të shpatullës. Sulo aktualisht ndodhet në spital, ku ruhet nga forca të shumta policie. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë.

Njoftimi i plotë i policisë
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 17.08.2020, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S., 31 vjeç. Arrestohet një prej autorëve, shpallen në kërkim katër të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe i punës hetimore intensive, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e një prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të katër autorëve të tjerë. Konkretisht u arrestua shtetasi:

Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katërt banues në Patos.

Këta shtetas, në datën 17.08.2020, rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.

Për këtë ngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja pistolete, si edhe 4 automjete të autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit e mbetur në tentativë” të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu