Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollet intensive, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, janë evidentuar dhe goditur dhjetëra raste të mitëdhënies, kryesisht nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme, në të gjithë vendin.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë goditur 5 raste të mitëdhënies, konkretisht 3 nga Policia Rrugore e Tiranës, një nga Policia Rrugore e Fierit dhe një nga Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Sarandë. Gjatë javës që lamë pas janë goditur edhe 18 raste të tjera të mitëdhënies.
Gjatë kontrolleve parandaluese në 24 orët e fundit në Tiranë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, 3 drejtues mjetesh, shtetasit L. N., A. M. dhe A. D, të cilët drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me shpejtësi tej normave të lejuara apo duke përdorur aparatin celular. Për t’i shpëtuar ndëshkimit me masë administrative, të tre drejtuesit e mjeteve u kanë ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore.