The Times zbulon prapaskenat e takimit të Trump dhe Zelenskit në funeralin e Papës: Dy kushtet nga të cilat ka hequr dorë Kievi

0

Presidenti Trump zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm kokë më kokë me Presidentin Zelensky në kuadër të funeralit të Papës, para se të akuzonte Presidentin Putin për zvarritjen e tij në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan The Times.

Një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë dukej se po afrohej pas shkëmbimeve intensive në Bazilikën e Shën Pjetrit. Zelensky tha se biseda e tyre 15-minutëshe kishte “potencialin të bëhej historike”, ndërsa Shtëpia e Bardhë e përshkroi atë si “një diskutim shumë produktiv”.

Në një shenjë se presidenti amerikan kishte treguar më shumë mirëkuptim për mesazhin ukrainas sesa gjatë takimit të fundit të tensionuar në Zyrën Ovale në shkurt, Trump më pas kritikoi publikisht Putinin.

Pasi hipi në Air Force One, ai postoi në platformën e tij Truth Social se breshëritë e fundit të raketave dhe sulmet me dronë në zonat civile në Ukrainë nga Moska “më bëjnë të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalojë luftën, thjesht po më mashtron, dhe duhet trajtuar ndryshe, përmes ‘bankave’ ose ‘sanksioneve dytësore’? Shumë njerëz po vdesin!!!”

Më herët, Trump kishte kërcënuar se do të vendoste tarifa dytësore mbi “gjithë naftën që vjen nga Rusia”.

Megjithatë, në të njëjtin postim, ai gjithashtu kritikoi Zelenskyn, duke pretenduar se këmbëngulja e tij për rikthimin e Krimesë në Ukrainë ishte një ndër “kërkesat e tjera të pakuptimta”.

Takimi mes Trump dhe Zelenskyt gjatë funeralit të Papës,në karrige të vendosura shumë afër njëra-tjetrës dhe vetëm disa hapa larg arkivolit, ndodhi disa orë pasi presidenti amerikan deklaroi se një marrëveshje ishte “shumë afër” dhe se Ukraina dhe Rusia duhej të takoheshin në “nivel shumë të lartë” për bisedime.

SHBA ka ushtruar presion mbi Ukrainën që të pranojë një marrëveshje paqeje që do të kërkonte nga Kievi të pranonte kontrollin rus mbi pjesë të mëdha të territorit të pushtuar.

Zelensky ka këmbëngulur se nuk do të njohë kurrë sovranitetin rus mbi Krimenë, rajonin e pushtuar nga forcat e Moskës që nga viti 2014, as kontrollin e saj të vazhdueshëm në jugun dhe lindjen e Ukrainës. Ai ka kërkuar që Putini të pranojë një përfundim të pakushtëzuar të luftimeve.
Në një postim në X (ish-Twitter), ai duket se theksoi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje pas një “takimi të mirë” me Trump, duke shkruar:

“Diskutuam shumë kokë më kokë. Shpresojmë për rezultate në gjithçka që mbuluam. Mbrojtjen e jetëve të njerëzve tanë. Armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar. Paqe e besueshme dhe e qëndrueshme që do të parandalojë shpërthimin e një lufte tjetër. Takim shumë simbolik që ka potencialin të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta.”

Ai dhe Sir Keir Starmer gjithashtu zhvilluan një takim kokë më kokë 15-minutësh pas funeralit në kopshtet e rezidencës së ambasadorit britanik në Romë, ku u fotografuan në bisedë me Trumpin dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Më pas u zhvillua një takim 25-minutësh me zyrtarët. Të dy palët ranë dakord të “ruajnë ritmin dhe të vazhdojnë të punojnë intensivisht” në përpjekjet për të siguruar paqen.

Bisedimet për armëpushim mes zyrtarëve evropianë, ukrainas dhe amerikanë u zhvilluan në Paris në fillim të këtij muaji, hera e parë që Evropës iu dha një vend zyrtar në tryezën e negociatave. Një raund i dytë bisedimesh u mbajt në Londër në fillim të kësaj jave.

Takimi në nivel ministror u kthye në diskutime në nivel zyrtar pasi Marco Rubio, sekretari amerikan i shtetit, u tërhoq në minutën e fundit mes spekulimeve se Rusia mund të ishte e gatshme të ndryshonte pozicionin e saj.

Duke folur për gjendjen e bisedimeve për paqe, një figurë e lartë e qeverisë britanike tha: “Si në çdo negociatë, procesi është shumë me luhatje, dhe ndonjëherë ajo që thuhet publikisht nuk është ajo që ndodh realisht prapa dyerve të mbyllura. Takimi në Paris dhe ai në Londër javën e kaluar u dhanë amerikanëve mjaftueshëm nga ana e ukrainasve për të tërhequr rusët në një proces negociator. Nëse, sigurisht, rusët do të japin rezultate dhe jo thjesht të sillen me taktika për të fajësuar ukrainasit për dështimin, kjo mbetet për t’u parë.”

Kuptohet se SHBA paraqiti një dokument “konstruktiv” në takimin në Londër të martën, ku Ukraina, Franca, Gjermania dhe Britania u ftuan të propozonin amendamente.

Këtë fundjavë, “The New York Times” raportoi se kundërpropozimet e Ukrainës përfshijnë kërkesën që të mos ketë kufizime në madhësinë e ushtrisë së saj; që një “kontingjent sigurie evropian” i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të vendoset në territorin ukrainas për të garantuar sigurinë; dhe që asetet e ngrira ruse të përdoren për të riparuar dëmet e shkaktuara në Ukrainë gjatë luftës.

Edhe pse këto kushte mund të jenë të papranueshme për Kremlinin, pjesë të tjera të planit ukrainas sugjerojnë një përpjekje për të gjetur terren të përbashkët. Nuk ka, për shembull, përmendje të rikthimit të plotë të gjithë territorit të pushtuar nga Rusia, apo këmbëngulje që Ukraina të lejohet të anëtarësohet në NATO, dy çështje për të cilat Zelensky më parë ka deklaruar se nuk ishin për diskutim.

Një burim i njohur me diskutimet tha se kishte “njëfarë niveli pozitiviteti” për propozimet.
Kuptohet se David Lammy, sekretari i jashtëm britanik, ka folur dy herë me Rubion gjatë javës së kaluar, ndërsa takimi i Putinit me Steve Witkoff, i dërguari special i Trumpit, u përshkrua nga Kremlini si “konstruktiv dhe shumë i dobishëm”.

Një burim i lartë qeveritar tha: “Ajo që është interesante tani është se sa shumë dëshironte Putini të takonte Witkoffin, ai këmbëngulte vazhdimisht që ai të kthehej.”