AZERBAJXHAN- Numri i të vdekurve nga një shpërthim dhe zjarri në një depo karburanti në Nagorno-Karabakh të hënën është rritur në 125, shkruajnë mediat e huaja.
Numri i viktimave u rrit ndjeshëm pasi autoritetet e Karabakut raportuan 20 të vdekur mëngjesin e së martës. Ministria armene e shëndetësisë, njoftoi se trupat e të vrarëve në shpërthim, pranë Stepanakertit, kryeqyteti i Karabakut, janë transportuar në Armeni.
Më herët të martën, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) tha se shpërthimi kishte rezultuar në qindra viktima të djegies. KNKK tha se po u ofronte ndihmë mjekësore atyre që vuanin nga djegiet dhe po evakuonte disa njerëz me ambulancë, duke përmendur spitalet e plotë dhe trafikun si sfida.