Pas incidentit shqetësues që ndodhi në Kumanovë, gjatë një ndeshjeje basketbolli mes ekipeve përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë ku u dëgjuan thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve ka reaguar Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Ajo e ka cilësuar këtë akt si të dënueshëm dhe një pengesë serioze në rrugën drejt ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Në një deklaratë publike, Spiropali e cilëson incidentin si të papranueshëm dhe një kujtesë e hidhur se rruga drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme,” shprehet Spiropali.
Ajo nënvizon se sporti, në thelb, përfaqëson vlera si bashkimi, bashkëpunimi, loja e ndershme dhe respekti, dhe nuk duhet të shndërrohet në platformë për gjuhë urrejtjeje, racizëm apo nxitje konfliktesh etnike.
Spiropali vlerëson reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut pas incidentit, por thekson nevojën për një qëndrim më të fortë edhe nga zyrtarët më të lartë të vendit.
“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon,” vijon ajo.
Kryetarja e Kuvendit përmbyll reagimin e saj me një mesazh të qartë për rëndësinë e sjelljes në tribuna dhe institucione, duke theksuar se Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një modeli bashkëjetese dhe tolerancë, larg ndasive që i përkasin së kaluarës.





