Ekipi i Lubeck nga rajoni i Schleswig-Holstein, që garon në kategorinë e katërt në Gjermani, mori javën e kaluar një lajm të keq.
Klubi njoftoi se po përballet me falimentimin dhe se në 48 orët e ardhshme duhej të mblidhnin një milion euro për të shpëtuar.
“Një analizë gjithëpërfshirëse e situatës aktuale financiare ka identifikuar një mungesë të konsiderueshme likuiditeti, e cila paraqet një sfidë të madhe financiare për Bordin Mbikëqyrës dhe menaxhmentin”, shkruan drejtuesit e klubit.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që të qëndrojnë pranë nesh në këtë moment të vështirë të mendojnë se si të na mbështesin. Çdo mbështetje në kohë është e rëndësishme, qoftë në formën e sponsorizimit, donacioneve apo masave të tjera. Vetëm së bashku mund ta shpëtojmë Lubeckun dhe ta kapërcejmë këtë krizë ekzistenciale”, thuhej në njoftim.
Dhe tifozët e Lubeck treguan se sa të gatshëm janë për të shpëtuar klubin e tyre. Të dielën pasdite, vetë klubi njoftoi se kishte arritur të mbledhë një milion euro nga tifozët, mbështetësit dhe sponsorët gjatë ditëve të fundit.
Në një meshë mbrëmjen e së dielës në Lubeck ku morën pjesë rreth 4500 persona, lajmi për shpëtimin u njoftua zyrtarisht për fansat.
Klubi më vonë shkroi në kanalet zyrtare në rrjetet sociale: “E bujshme, e jashtëzakonshme, unike, kjo është histori, megjithëse është e vështirë të përshkruash me fjalë atë që përjetuam, grumbulluam, ndamë dhe arritëm së bashku si familja Lubeck. Mblodhëm shumën e nevojshme prej një milion eurosh, Lubeck është gjallë!”.