TIMS/ Dëshmon me dyer të mbyllura drejtoresha e SHISH, Salianji kundër: Si lakuriq nate, mendoni se do ia hidhni

0

Mbledhja e TIMS po zhvillohet sërish me dyer të mbuluara, ndërsa po raporton drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni. Vetëm me votat e socialistëve u miratua kërkesa e Hysenit për mbledhje të mbyllur me argumentin se informacionet përbëjnë sekret. Nga ana tjetër, opozita kërkoi mbledhje me dyer të hapura.

Deputeti demokrat akuzoi mazhorancën duke i quajtur se po sillen si lakuriq nate, ndërsa tha se duke mbyllur mbledhjet mendojnë se do ia hedhin. “Faleminderit që na qartëson dhe qetëson zoti nën kryetar. Kishte kërkesa për të diskutuar me kërkesën e SHISH. I shërben publikut dhe këtij institucioni që të jetë me dyer të hapura. Lakuriqi i natës nga drita verbohet dhe del vetëm në errësirë. Si lakuriq nate të heqim mediat, dritën të mbyllemi këtu dhe ju mendoni se do ja hedhim dot. Dëshmitarët vijnë dhe ja kalojnë topin njëri tjetrit. Kërkesa ime është që mbledhja të bëhet me dyer të hapura”, tha Salianji.

Në nisje të mbledhjes palët u përfshinë nga një debat për shkak të mungesës së Hysenit në mbledhjen e kaluar të 26 qershorit, pasi ndodhej në Bruksel për takime në selinë qendrore të NATO-s. Vetë Hyseni u kujdes të sqarojë arsyet e mungesës, duke hedhur poshtë këtu deklaratat e kryetarit Ervin Salianji se ndodhej në Beograd.

“E kishim të pamundur paraqitjen në datë 26 për shkak të një angazhimi të detyrueshëm të konfirmuar muaj më parë, lidhej me dy arsye madhore, takimi me asistentin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për inteligjencën për të diskutuar për çështje të sigurisë rajonale dhe për të diskutuar për angazhimin e SHISH në kuadër të inteligjencës së NATO-s.

Një angazhim tjetër ishte paraqitja e drejtorit të SHISH në samitin e NATO-s në Uashington që pritet të mbahet me 10 korrik. Në asnjë rast SHISH apo drejtori nuk i është shmangur raportimit para komisionit. Kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke pasur parasysh se flitet për problematika që lidhen me sigurinë kombëtare. Të mbrohen të dhënat e klasifikuara”, tha Hyseni.

“Ju jeni sot këtu dhe s’kemi ç’të themi më shumë, përveçse se nga çfarë kemi parë nga dokumentacioni i deritanishëm që disponojmë në raport me çështjen, nuk shoh asnjë element që të përbëje sekret shtetëror. Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë vetëm me aspekte procedurale dhe aspekte që janë zbuluar në publik, propozoj që mbledhja të bëhet e hapur, në çdo rast që ka informacion të klasifikuar drejtoresha mund të kërkojë mbledhje me dyer të mbyllura”, tha Salianji.

Nga ana tjetër, deputeti socialit Xhemal Qefalia kërkoi nga Salianji një ndjesë publike për akuzën që i bëri Hysenit, por ligjvënësi demokrat u përgjigj duke e ‘këshilluar’ që të mos bëjë mbrojtjen e SHISH.

“Duhet ta fillosh mbledhjen me një ndjesë publike për kauzat që bëtë ndaj drejtueses së Shërbimit duke e ngatërruar qëllimisht vendin e saj të takimit, nga Brukseli në Beograd”, tha Qefalia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu