– SHÇBA ka çuar në Prokurori denoncimin e një qytetari ndaj një punonjësi policie të Komisariatit nr. 1 të kryeqytetit, i cili akuzohet se pak ditë më parë, kur ka qenë jashtë orarit të punës, është përplasur fizikisht për motive të dobëta me një person tjetër.
Ka qenë pikërisht i dëmtuari, i cili ka bërë denoncimin për policin, ndaj të cilit është ngritur akuza “Dëmtime të tjera me dashje’.
Ndërkohë, SHÇBA u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Njoftimi i plotë i SHÇBA:
Tiranë – Më datë 01.12.2021, bazuar në kallëzimin e shtetasit A.C., nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Tiranë u referuan materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të punonjësit të policisë Inspektor M.E., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. Punonjësi i policisë M.E. dyshohet se më datë 26.11.2021, rreth orës 14:15, në rrugën “Brigada VIII” Tiranë, duke qenë jashtë orarit të shërbimit, është përplasur fizikisht për motive të dobëta me shtetasin A.C. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.