Tmerr në Itali! Fqinji “i çmendur” vret çiftin e ri dhe më pas veten

0

Volvera, Itali – 25 prill 2025

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin e qetë të Volverës, pranë Torinos, ku një mosmarrëveshje për çështje bashkëpronësie ka përfunduar me tre viktima. Andrea Longo, 34 vjeç, shofer kamioni me precedentë penalë, vrau dy fqinjët e tij dhe më pas kreu vetëvrasje.

Sipas informacioneve të para, Longo shkoi në banesën e fqinjëve të tij, Chiara Spatola, 28 vjeçe, dhe i dashuri i saj, Simone Sorrentino, 23 vjeç, në orët e para të mëngjesit. Pas një debati të ashpër, Longo i sulmoi me thikë dhe i goditi disa herë. Çifti tentoi të shpëtonte duke dalë në oborr, por Longo i ndoqi dhe i vrau atje.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të karabinierëve dhe ekipeve të emergjencës, të tre personat u gjetën pa shenja jete në vendngjarje. Hetimet janë ende në faza të hershme, ndërkohë që dëshmitë paraprake flasin për konflikte të vazhdueshme mes fqinjëve, si dhe për vendimin e çiftit të ri për t’u zhvendosur në një zonë tjetër.

Banorët e Volverës janë të tronditur nga kjo ngjarje tragjike, ndërsa autoritetet po vazhdojnë mbledhjen e provave për të zbardhur plotësisht motivet e këtij akti makabër.