Tmerri i Italisë së Veriut/ Arrestohen shqiptarët e bandës ‘Alfa Romeo’, mes tyre një femër

0

Nëntë goditje në apartamente në më pak se dy muaj, katër në Casatenovo e pesë në Verderio, midis nëntorit e dhjetorit 2019.

Vepër e gjashtë shqiptarëve që kanë kryer gjithsej të paktën 62 vjedhje në banesa e 2 grabitje shtëpish në 15 provinca në Italinë e veriut, midis tyre në Leço, Varese, Milano, Bergamo, Brescia e Pavia në Lombardi; Venezia, Verona e Padova në Veneto; Parma, Ferrara e Rimini në Emilia Romagna; Verbania, Novara e Alessandria në Piemonte.

Katër prej tyre janë identifikuar e arrestuar: një 36-vjeçar që ndërkohë ishte në arrest shtëpie në Mozzate; një 35-vjeçar nga Savona; dhe një çift, ai 27, ajo 33 vjeç, banues në Segrate. Janë arrestuar të mërkurën në mëngjes nga karabinierët e komandës së Verbanias.

Dy të tjerët për momentin kanë arritur t’i humbasin gjurmët, ndoshta të larguar jashtë Italisë.

Gjatë kontrolleve, hetuesit kanë gjetur një pushkë të lehtë H&K kalibër 223 me dy karikatorë e 34 fishekë, dhe një pistoletë gjysmëautomatike Beretta 9×21 me dy karikatorë e 15 fishekë. Armët ishin të mbushura, me fishekë në gojë, gati për përdorim.

‘Pistoleta, provë e rrezikshmërisë ekstreme të tyre, u gjet në xhepin e njërës prej sediljeve të para të makinës, pra me shumë gjasa gati për përdorim’, tha koloneli i karabinierëve Alberto Cicognani. Nga kontrolli u gjetën edhe veshje, stoli e ora të vjedhura, si dhe një arsenal i vërtetë veglash për hapjen e dyerve e dritareve.

Hetimet zgjatën tre muaj, me ndjekje, përgjime , fotografime, si dhe me përgjim telefonash e analizë pamjesh të ndryshme nga sistemet e videove të sigurisë.
Hetimet filluan pas një tentative grabitjeje mbrëmjen e 7 nëntorit 2019 në Gignese, provinca e Verbanias, ku banditët, të cilët kërcënuan me thikë banoren e një vile që i kapi befasisht në veprim, u larguan me një Alfa Romeo Stelvio. E njëjta makinë është vënë re në fshatra të tjera ku janë denoncuar episode të ngjashëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu