SHBA- Presidenti Donald Trump ka reaguar sërish pas tragjedisë në Washington duke thënë se kjo është një ngjarje e rëndë dhe nuk duhet të kishte ndodhur. Trump gjithashtu kërkoi një minutë heshtje për viktimat. Ai vazhdoi duke thënë se tragjedia ka tronditur vërtet shumë njerëz, duke përfshirë ata nga vendet e tjera, qytetarët e të cilëve ishin në aeroplan. Presidenti amerikan më pas sulmoi Barack Obamën dhe Joe Biden, duke thënë se ata kanë dobësuan sigurinë në udhëtimet ajrore.
“Fatkeqësisht nuk ka të mbijetuar. Si komb ne vajtojmë për çdo shpirt të çmuar që na është marrë kaq papritur. Ne nuk e dimë se çfarë çoi në këtë aksident, por ne kemi disa mendime dhe ide shumë të forta. Unë e vendos sigurinë mbi të gjitha. Obama, Biden dhe demokratët e vënë politikën në radhë të parë. Ata e çuan politikën në një nivel që askush nuk e ka parë më parë. Politika e tyre ishte e tmerrshme”, tha Trump.
Trump po ashtu theksoi se edhe kur mori detyrën ai nënshkroi urdhëra ekzekutivë që të rikthejnë standardet më të larta të trafikut ajror. Ai pretendon se helikopteri kishte aftësinë të ndalonte, të ngjitej ose të zbriste ose të kthehej, por bënte të kundërtën e asaj që i ishte thënë. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për shkakun e rrëzimit. Presidenti theksoi se tragjedia nuk duhej të kishte ndodhur.
“Për disa arsye, ne kishim një helikopter që ishte në të njëjtën lartësi dhe shkonte në një kënd që ishte tepër i keq. Helikopteri bëri një një kthesë të vogël në fund, por atëherë ishte tepër vonë”, thotë Trump.