Një tragjedi e rëndë ndodhi në Egje mëngjesin e së premtes, në ujërat lindore të ishullit Rodos, kur një skaf që transportonte emigrantë humbi kontrollin gjatë përpjekjeve për t’iu shmangur anijeve të Rojës Bregdetare.
Manovrat e rrezikshme të kontrabandistit që drejtonte varkën shkaktuan rënien e disa emigrantëve në det.
Ekipet e shpëtimit të Rojës Bregdetare nxorrën nga uji trupat e pajetë të tetë personave, mes tyre fëmijë të moshës 2 deri në 8 vjeç. Ndërkohë, 18 emigrantë janë shpëtuar nga mbytja në këtë incident tragjik.
Operacioni i kërkimit dhe shpëtimit vazhdon me angazhimin e dy mjeteve të Rojës Bregdetare dhe një helikopteri të Forcave Ajrore, ndërsa një tjetër anije është nisur për të asistuar në zonën e ngjarjes. Hetimet për zbardhjen e rrethanave vazhdojnë.