Detaje të reja mësohen nga tragjedia me dy viktima në Tiranë, ku një 56-vjeçar dhe një i afërm i tij 47-vjeç humbën jetën pasi u asfiksuan nga rrjedhja e gazit.
Pronari i banesës në rrugën “Marie Kraja” në lagjen e Kinostudios ishte kthyer nga Greqia për të kryer disa riparime në shtëpi. Së bashku me të afërmin e tij shtetasin Vladimir Bengu, ata kishin punuar mbrëmë në banesë ku edhe vendosën të kalojnë natën.
Shkak i vdekjes dyshohet të jetë bërë rrjedhja e gazit nga bombola që përdorej për ngrohjen e dhomës. Sipas hetimeve të deritanishme, ngrohësja ishte lënë ndezur gjatë gjithë natës, duke rezultuar fatale për ta.
Kanë qenë familjarët e tyre ata që kanë njoftuar policinë, pasi ata nuk u përgjigjeshin thirrjeve të tyre në telefon. Makina e morgut është parë mbrëmjen e sotme në vendngjarje, pasi policia bëri zbulimin tronditës.