– Trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, ka mohuar zërat se ai mund të bëhet trajner i Manchester United. Por tekniku holandez, shprehet se ai është i lumtur te Ajax, as që e mendon të braktisë “harkëtarët” në mes të sezonit. Në një intervistë mediat holandeze, Ten Hag ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë ai trajneri i ri i “Djajve të Kuq”.
“Jam shumë i përqendruar te Ajaxi dhe të gjitha gjërat e tjera, vetëm sa më shpërqendrojnë. Unë jam i pari që dua t’u jap shembullin futbollistëve të mi, që të jenë të fokusuar vetëm te klubi i tyre Ajax dhe të mos mendojnë asgjë tjetër. Ju vazhdoni të më pyesni lidhur me këtë temë, por në drejtimin tim nuk kam dëgjuar zëra për Manchester United dhe kështu që nuk mund të mendoj për ta, por vetëm për Ajaxin”,- ka theksuar në fund të fjalës së tij trajneri holandez.
Tekniku i njohur Erik ten Hag, po spikat sërish me Ajaxin e Amsterdamit edhe në këtë sezon. Si pasojë e kësaj ai vazhdon të jetë një nga emrat më të lakuar për t’u ulur në stolin e Manchester United, aty ku do të pasonte të shkarkuarin Ole Gunnar Solskjaer.