GJERMANI – Zhurma e ngritur nga pakënaqësia se Franca ende nuk është bindëse, teksa ka arritur të jetë midis 4 më të mirave me vetëm një gol të shënuar nga Mbappé me penallti dhe 3 autogola, është shuar.
Ka qenë vetë trajneri Didier Deschamps, i cili përballë medias dhe kritikave për zëvendësimin e sulmuesit të ri të Real Madrid, Kylian Mbappe, ka justifikuar veprimin e tij.
Trajneri i Francës ka dashur të sqarojë episodin, ndërsa ka folur për skuadrën e tij pas fitores ndaj Portugalisë, të mposhtur me penallti: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër një skuadre të shkëlqyer, madje mund ta kishim fituar.
Duhet të argëtohemi, jemi në një gjysmëfinale. Kur shohim lumturinë që ndajmë me tifozët, jemi të lumtur. Është motiv krenarie për lojtarët e mi, edhe pse nuk bëjmë gjithçka në mënyrë perfekte, ne nuk dorëzohemi”, tha Deschamps.
Dhe për zëvendësimin e Mbappé: “Ai e kërkoi ndërrimin pak më parë se të fillonin goditjet e penalltive, – është shprehur Deschamps. – Kylian është gjithmonë i sinqertë me mua dhe me grupin.
Që nga momenti që nuk ka më aftësinë për të përshpejtuar, mes problemit në shpinë e thyerjes së hundës, nuk është në maksimumin e tij. Ai është vërtet shumë i lodhur”,- përfundoi trajneri i Francës.