Komisioni i Jashtëm ka miratuar sot marrëveshjen e transferimit të të burgosurve shqiptarë nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut, marrëveshje kjo, e cila i hap rrugë edhe një sërë lehtësirash dënimi që mund të përfitojnë të burgosurit.
Sipas projektligjit në fjalë, në rast se dënimi në Britani e kalon dënimin maksimal të parashikuar në Shqipëri për të njëjtën vepër penale, pas transferimit dënimi i tij mund të ulet sipas atij që përcakton legjislacioni ynë. Pra, supozojmë se në rast se në Britani një person është dënuar me 8 vite burg, për një vepër penale që në Shqipëri dënohet me 6 vite dhe ka kryer tashmë 4 vite, pas transferimit do të kryente vetëm 2 vite të mbetura dhe jo më 4. Kjo i hap rrugë edhe lirimit të të burgosurve, por për këtë zv.ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni tha se nuk ndodh.
“Kur dënimi e kalon dënimin maksimal të parashikuar në shtetin marrës për një vepër penale të ngjashme, shteti marrës mund të ulë dënimin në dënimin maksimal të parashikuar në legjislacionin e shtetit marrës për atë vepër penale; Megjithatë, pavarësisht rregullave të mësipërme, në marrëveshje parashikohet e drejta e shtetit transferues për të tërhequr kërkesën për transferim, nëse nuk është i kënaqur me përshtatjen e propozuar të dënimit në çdo rast”, thuhet në projektligj.
