Një transformator elektrik në lagjen Toroman, në fshatin Muçaj të Njësisë Administrative Tregan, është kthyer në një burim të vazhdueshëm rreziku për banorët e zonës.
Një shkëndijë e fortë elektrike ka shkaktuar zjarr, duke rrezikuar magazinat përreth. Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e banorëve shmangu përhapjen e flakëve dhe një tragjedi të mundshme.
Banorët shprehen të shqetësuar për situatën, duke kërkuar zgjidhje urgjente nga institucionet përkatëse, pasi transformatori është amortizuar dhe ndodhet shumë pranë banesave e bizneseve të vogla.
Ata kujtojnë me dhimbje se vetëm një vit më parë, në të njëjtin transformator, humbi jetën një punonjës i OSHEE-së gjatë një ndërhyrjeje teknike.
Banorët kërkojnë që autoritetet të mos mjaftohen me ndërhyrje të përkohshme, por të investojnë në sistemin e shpërndarjes së energjisë për të garantuar sigurinë e komunitetit.