Tre serbë arrestohen në Francë, vandalizuan objektet hebreje “me porosi të rusëve” për të nxitur tensione

0

Mediat franceze dhe gjermane njoftojnë se policia franceze ka arrestuar në  Juan-les-Pins, në Côte d’Azur, tre shtetas serbë që kishin lyer me bojë gjatë natës së së shtunës disa objekte në Paris.

Ata kishin ndotur me bojë Muzeun e Holokaustit, fasadën e një restoranti të njohur hebre në lagjen Marais si dhe muret e jashtme të tre sinagogave.
Serbët po bëheshin gati të largoheshin nga vendi kur u arrestuan nga policia franceze.

Ata dyshohen bazuar në analizën e bisedave telefonike, si dhe pamjet nga kamerat e survejimit të siguruara gjatë fundjavës. Pamjet tregojnë një burrë të veshur me të zeza dhe dy burra të tjerë, njëri prej të cilëve spërkati një mur me bojë të gjelbër ndërsa tjetri e filmoi atë.

Spërkatja u dënua ashpër nga Ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau dhe kryetarja e Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo.

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruan: “Ende nuk dihet se çfarë u kanë treguar tre serbët hetuesve që nga arrestimi i tyre në natën e së martës në lidhje me motivet e tyre dhe ndoshta edhe për urdhërdhënësit e tyre. Hetuesit janë duke analizuar aktualisht të dhënat e telefonave të tyre, bisedat dhe transferet e mundshme të parave.

Në Francë, megjithatë, mendohet se është një tjetër përpjekje për destabilizim politik dhe ndërhyrje, me gjasë e drejtuar nga Rusia. (…) Dukshëm, akti synon të nxisë tensionet politike që në Francë janë ndezur që nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe gjatë goditjes izraelite në Gaza”.