FRANCA – Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ndodhet përballë një prej betejave më të mëdha ligjore të karrierës së tij, pasi prokuroria financiare ka kërkuar një dënim me 7 vjet burg për të, për shkak të financimit të paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore nga Libia e Muamar Gadafit.
Përveç dënimit me burg, prokurorët kanë kërkuar edhe një gjobë prej 300 mijë eurosh dhe heqjen e të drejtave politike të ish-kreut të shtetit për pesë vjet.
Sipas akuzës, Sarkozy ka pranuar fonde të paligjshme nga regjimi i ish-diktatorit libian për të financuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2007, në shkelje të rregullave të rrepta të Francës për financimin e fushatave elektorale. Sipas prokurorisë, ai ka qenë në dijeni të burimit të parave dhe ka bashkëpunuar me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për të fshehur transaksionet.
Një skemë korrupsioni
Hetimi ka zbuluar një skemë të ndërlikuar financiare, e cila përfshinte transferta sekrete të parave nga Libia drejt Francës, me qëllim mbështetjen e Sarkozy-t në zgjedhje. Në këtë aferë, prokuroria ka kërkuar dënime edhe për dy bashkëpunëtorët më të afërt të tij: ish-ministrin Claude Guéant me 6 vjet burg dhe Brice Hortefeux me 3 vjet burg. Sipas hetuesve, këta zyrtarë kanë luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin dhe administrimin e fondeve të dyshimta nga Libia.
Në fjalën e tyre, prokurorët deklaruan se Sarkozy jo vetëm që “kundërshton faktet”, por edhe “nuk e kupton seriozitetin” e situatës. Ata theksuan se ish-presidenti duhet të shpallet fajtor për një sërë veprash, përfshirë korrupsion, pranim të fondeve publike të përvetësuara, financim të paligjshëm të një fushate zgjedhore dhe krijimin e një organizate kriminale.
Reagimi i Sarkozy: Një dënim i tepruar
Gjatë seancës gjyqësore, Sarkozy dëgjoi akuzat pa shprehje në fytyrë, ndërsa avokatët e tij kanë argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e prokurorisë. Më vonë, në një reagim në rrjetet sociale, ai e quajti kërkesën e prokurorëve një dënim “të tepruar” dhe theksoi se do të vazhdojë të luftojë për të vërtetën, duke shprehur besimin e tij në drejtësinë e gjykatës.
Ky nuk është rasti i parë ku Sarkozy përballet me drejtësinë. Ai është përfshirë në disa hetime për korrupsion dhe financim të dyshimtë, përfshirë edhe një çështje të mëparshme ku u dënua me burg për përpjekje për të korruptuar një gjyqtar.
Ndërkohë, procesi gjyqësor pritet të zgjasë edhe disa javë, me vendimin përfundimtar që do të merret nga gjykata në javët e ardhshme. Nëse shpallet fajtor, Sarkozy do të bëhet një nga presidentët e rrallë francezë që përballet me një dënim kaq të rëndë penal.