Pas rastit të 4 turisteve hungarezë që ngelën në mes të lumit në Maliq, ka reaguar shefi i zjarrfikëses së zonës Sadik Halili duke thënë se ndërhyrja në kohë u shpëtoi jetën dhe se ata janë dërguar në spitaj jashtë rrezikut për jëtën.
Halili tha se në këtë periudhë lumi i Devollit përbën shumë rrezik, sidomos për ata drejtues mjetesh që nuk e njohin terrenin.
Flet shefi i zjarrfikëses Maliq, Sadik Halili:
Jemi njoftuar për një rast ku një mjet me 4 turistë duke kërkuar për të kaluar nga një anë e bregut drejt anës tjetër të lumit Devoll, mjet i cili ka mbetur në mes të lumit.
Në kushte të tilla rrezikonin seriozisht jetën e tyre 4 turistët, ndërkohë që edhe dy mjete të tjera po bëheshin gati për të kaluar lumin Devoll.
Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së tyre. Të 4 turistët me ambulancë janë dërguar drejt spitalit të Maliqit, pa probleme për shëndetin e tyre.
Në një periudhë si kjo, me rreshje të shumta , lumi i Devollit është shumë i rrezikshëm aq më tepër për ata drejtues mjetesh që nuk e njohin terrenin
Njoftimi i Policisë:
Maliq
Policia dhe zjarrfikësit, shpëtojnë 4 turistë hungarezë që rrezikuan të mbyteshin në lumin Devoll.
Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë nga banorët e fshatit Plovisht, Maliq, se disa turistë të huaj, kishin mbetur në mes të lumit Devoll, me automjetin e tyre tip fuoristradë dhe rrezikonin të mbyteshin për shkak të prurjeve të mëdha të lumit, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë thirrur në ndihmë shërbimet e zjarrfikëses Maliq, me ndihmën e të cilëve, u bë e mundur nxjerrja e turistëve nga uji.
Turistët hungarezë, kanë falenderuar punonjësit e policisë dhe zjarrfikësit që ju erdhën në ndihmë në kohën e duhur duke ju shpëtuar jetën.