“Me lëvizjet e fundit vlerësohet se Greqia jo vetëm që do të ketë një mbrojtje të plotë të kufijve të saj nga çdo kërcënim i jashtëm, por në të njëjtën kohë do t’i japë vendit tonë karakteristikën e një superfuqie ushtarake rajonale” shkruan gazeta greke “Protothema”.
“Nëse pranë sistemeve të mësipërme të armëve vendosim marrëveshjen e ndihmës së ndërsjellë të mbrojtjes midis Greqisë dhe Francës, e cila u nënshkrua të martën e kaluar në Paris nga udhëheqësit e dy vendeve, atëherë pala greke fiton një avantazh shtesë të qartë që siguron që në rast konfrontimi ushtarak me Turqinë, për herë të parë ndoshta, nuk do të jetë plotësisht vetëm” theksohet nga media greke.
Pikërisht një vit më parë, duke lëshuar një paketë të ndihmës së mbrojtjes emergjente në vlerë prej 10 miliardë eurosh, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në thelb dha dritën jeshile për të filluar, dhe në fakt menjëherë, një program të madh armatimi, i cili siguroi jo vetëm bazën, por edhe modernizimin e disa strukturave ekzistuese, me qëllim riaktivizimin e plotë të doktrinës greke të parandalimit kundër kërcënimit turk.
Pas blerjes së 24 avionëve luftarakë “Rafale”, dërgimi i tyre nga Franca te Forcat Ajrore Greke ka filluar tashmë që nga korriku i kaluar. Tre fregatat “Belharra” dhe “Goëind” do të kushtojnë më shumë se 5 miliardë, ndërsa 2 miliardët e tjerë do të shkojnë për modernizimin e sistemeve ekzistuese të armëve, siç janë fregatat MEKO të Marinës, por edhe për blerjen e raketave, silurëve, pjesëve rezervë, helikopterë dhe përparësi të tjera të menjëhershme.
Duke vazhduar me një krahasim të aftësive ushtarake të Greqisë dhe Turqisë, por edhe duke bërë një parashikim të fuqisë së dy vendeve gjatë një periudhe pesëvjeçare, bazuar në sistemet e armëve që Forcat e Armatosura Greke dhe Turke kanë ose do të kenë në 2026, bëhet e qartë hendeku midis dy vendeve do të zvogëlohet ndjeshëm.
Përkundër faktit se Turqia do të vazhdojë të ketë një epërsi numerike ndaj Greqisë në sektorë të ndryshëm, duke qenë më e madhe në popullsi dhe rrjedhimisht në aspektin e buxhetit të mbrojtjes. Por Greqia, shkruan gazeta do të fitojë një epërsi të fortë në cilësi nëpërmjet përdorimit të sistemeve moderne të armëve.
Sa i përket raporteve të forcave greko-turke, “Greqia këtë vit duket se do të bëjë një kërcim të madh armatimi, në një përpjekje nga njëra anë për të mbuluar terrenin e humbur të viteve, nga ana tjetër për të krijuar baza për t’u kthyer në fuqi në Egje.
Sipas një raporti të NATO -s (qershor 2021), pas shumë vitesh Greqia duket se ka 38.5% të buxhetit të saj të mbrojtjes për mirëmbajtjen e sistemeve të vjetra dhe blerjen e sistemeve të reja të armëve, kur në vitet e mëparshme kjo përqindje shkonte nga 8.17% (në 2014) në 13.45% (në 2016)” thotë gazeta.
Në thelb, megjithatë, përcaktimi i saktë i shpenzimeve turke të mbrojtjes është një enigmë e pazgjidhshme. Gazeta shkruan se të dhënat financiare të Turqisë ose janë të pasakta ose bëhen publike me kushte, pasi ato nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli nga institucionet kompetente të auditimit, siç është Parlamenti.
Në të njëjtën kohë, “për sa i përket burimeve njerëzore, proporcionet e Greqisë me fqinjin lindor aktualisht janë zvogëluar, 2.4 ushtarë turq për çdo grek, krahasuar me 3.5 me 1 në 2014. Turqia ka ende një nga ushtritë më të mëdha në NATO, me 355,000 personel ushtarak në detyrë aktivë krahasuar me 142,000 të Greqisë” shkruhet më tej.