Mikpritësit e Kupës së Botës 2022, event që do të zhvillohet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor, do të kenë ndihmë të përforcuar edhe nga autoritetet turke.
Një masë e konfirmuar kjo nga Süleyman Soylu, ministri i brendshëm turk: “Një total prej 3.250 punonjësish tanë të sigurisë, do të punojnë përkohësisht në Katar nga nëntori deri në dhjetor 2022 për 45 ditët e zhvillimit të ndeshjeve të Kupën e Botës. Gjatë këtij eventi, të cilit i priten më shumë se një milion fansa nga e gjithë bota, siguria do të ofrohet edhe nga stafi ynë.”
Ministri turk shtoi, se Turqia ka trajnuar gjithashtu 677 personel sigurie të Katarit në 38 fusha të ndryshme. Do të dislokohen 3.000 policë të trazirave, 100 anëtarë të njësisë së forcave speciale, 50 qen zbulues të bombave dhe operatorët e tyre, si dhe 50 ekspertë të bombave.
Turqia ende nuk është kualifikuar në këtë Botëror. Në “play-off” do të përballet me Portugalinë e Cristiano Ronaldos, e më pas, nëse ka sukses, do të garojë për biletën kundër fituesit e çiftit Itali-Maqedonia e Veriut.