Ankaraja sheh qëndrim pozitiv ndaj heqjes së embargos së eksportit të armëve nga Finlanda dhe Suedia gjatë bisedimeve që delegacionet e dy vendeve kandidate për anëtarësim në NATO zhvilluan në Ankara.
Kryekëshilltari i politikës së jashtme i presidentit turk Tajip Erdogan, Ibrahim Kalin mbajti bisedime të veçanta me anëtarët e delegacioneve suedeze dhe finlandeze në Ankara të mërkurën. Kalin, tha pas bisedimeve, se shqetësimet dhe pritshmëritë e Turqisë për luftën ndaj terrorizmit iu përcollën homologëve.
Suedia dhe Finlanda kanë ndaluar eksportet e armëve në Turqi pas inkursionit të saj në Siri kundër milicisë kurde siriane YPG. Ankaraja e konsideron gjithashtu grup terrorist Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO, por Turqia i befasoi aleatët e NATO-s javën e kaluar kur kundërshtoi anëtarësimin e dy vendeve, duke thënë se strehojnë njerëz të lidhur me grupin militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe mbështetës të Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e grushtit të shteti të vitit 2016.