Në datat 10-14 shkurt të këtij viti, ushtria turke ndërmori disa sulme të ashpra ajrore në malet Garanë Irak, pasuar nga një sulm ajror i forcave speciale, para se të tërhiqej. Kur ndodhi kjo gjë, dhjetëra militantë, disa ushtarë dhe 13 pengje turq të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) kishin vdekur.
Objektivi i operacionit kishte qenë lirimi i tyre. Operacioni u drejtua pjesërisht nga konsideratat e brendshme politike turke:Një shpëtim i suksesshëm i pengjeve, do t’i kishte dhënë një shtysë koalicionit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe asaj të Lëvizjes Nacionaliste (MHP), popullariteti i të cilave po bie.
Madje 2 ditë para fillimit të operacionit, presidenti Erdogan njoftoi se brenda pak ditësh do të kishte një lajm të mirë për vendin. Rezultoi të ishte një gëzim i parakohshëm. Sulmi ishte një vijimësi e rajonalizimit të luftës së Ankarasë ndaj PKK-së, duke e çuar edhe një herë ushtrinë turke në territorin irakian, dhe duke shënjestruar një zonë tranziti të rëndësishme midis Sinxhinit dhe Kandilit në Irak, ku ndodhen selitë e PKK dhe Al-Hasaka në Siri, bazë e Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG) të lidhura me PKK.
Sulmi u ndihmua nga Partia Demokratike e Kurdistanit Irakian (KDP) e familjes Barzani, aleatja kryesore e Turqisë, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta ekonomike që përfshijnë eksportet e naftës. Nga një perspektivë, sulmi i forcave turke ndaj PKK është shqetësimi më i vogël.
Asnjë shtet nuk do të tolerojë praninë e një grupi të armatosur si PKK-ja në territorin e vet, dhe shumë shtete i kanë sulmuar grupe të tilla edhe përtej kufirit, në rast se fqinjët e tyre nuk arrijnë të gjejnë marrëveshje me ta. Dhe është shumë e kuptueshme që Ankaraja i sheh PKK dhe YPG të lidhur me PKK, si shqetësime të sigurisë kombëtare.
Por është problematik fakti që Turqia e ka përzier kauzën e kurdëve për të drejtat më të mëdha si pakicë në Turqi, me luftën kundër PKK dhe YPG. Ankaraja e trajton në bllok opozitën kurde (si paqësore edhe atë militante) si “terrorizëm“ i frymëzuar nga PKK. Problematike është gjithashtu edhe mënyra se si Turqia po e zhvillon “luftën e saj kundër terrorizmit”, në rajon pa adresuar shkaqet kryesore të konfliktit brenda Turqisë.
Kjo lloj qasje do të shkaktojë pakënaqësi të reja të kurdëve në shtëpi dhe destabilitet në rajon. Turqia ka margjinalizuar dhe shtypur prej kohësh të drejtat e pakicave kurde, gjë që ndihmon edhe në shpjegimin e ekzistencës së PKK. Praktika të tilla u intensifikuan shumë gjatë viteve të fundit, pas përmirësimit relativ të statusit të kurdëve në fund të viteve 2000 dhe fillimin viteve 2010.
Në republikën e sotme turke, ekziston një mungesë gati totale e hapësirës për përfaqësim të pavarur politik dhe e një debati social në lidhje me të drejtat e pakicave kolektive, dhe shumë më tepër sesa kaq. Partia kryesore që mbron interesat e pakicave – Partia Popullore Demokratike (HDP), është zhdukur nga skena politike.
Drejtuesit e saj dhe shumë anëtarë ndodhen në burg me akuzën e terrorizmit, pa një proces të rregullt gjyqësor ose pa prova bindëse. Shumë prej 15 milion kurdët e Turqisë, janë bërë edhe një herë qytetarë të dorës së dytë. Paradoksi është se AKP, arkitekte e shtypjes së sotme, nisi në mesin e viteve 2000 negociatat jozyrtare të paqes me PKK, dhe zgjeroi ndjeshëm hapësirën për një angazhim qytetar të kurdëve dhe për përfaqësim politik të tyre.
Kjo ishte diçka e pashembullt në historinë moderne të Turqisë. Por nuk zgjati shumë. Sapo HDP u bë një kërcënim për dominimin elektoral të AKP-së, dhe kur dështuan bisedimet e paqes me PKK (disa thonë për shkak të suksesit të HDP), u rikthyen përplasjet e vjetra. Rifilluan përplasjet midis Turqisë dhe PKK, ndërsa HDP u shkatërruar duke mobilizuar kundër saj gjyqësorin e politizuar të Turqisë. Përveç intensifikimit të shtypjes së pakicës së saj më të madhe, Ankaraja nuk i kufizon më praktika të tilla brenda kufijve të saj shtetërorë.
Përkundrazi, ajo i zgjeron ato sistematikisht në Siri dhe Irak, nën flamurin e anti-terrorizmit, ku objektivi kryesorë mbeten PKK dhe YPG. Në thelb, Turqia po përpiqet të adresojë problemin e saj kurd në të gjithë rajonin. Por mbështetja e tepruar tek metodat e rënda anti-terroriste, ka të ngjarë të jenë joproduktive dhe të shtojnë destabilitetin në rajon.
Një nga problemet është se sulmet e saj me dron, bombardimet ajrore, operacionet e forcave speciale, përdorimi i milicive siriane, po prodhojnë dëme të konsiderueshme anësore në Turqi, Siri dhe Irak ashtu si me pengjet që vdiqën në Gara. Këtu përfshihen shkelje në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut, shkatërrim i mjeteve të jetesës dhe infrastrukturës, zhvendosja masive e njerëzve,dhe shkelja e sovranitetit të vendeve të tjera.
Mbajtja nën kontroll e çështjes kurde, ka qenë një strategji e Turqisë për dekada. Osmanët e panë çështjen kurde si një problem të vendosjes së sundimit qendror mbi periferinë e perandorisë, dhe u përpoqën që ta zgjidhnin atë përmes një përzierje të forcës dhe konsensusit.
Republika Turke e vitit 1923, përdori të njëjtën qasje, duke shtuar terma si “separatizëm”, “banditizëm” dhe “terrorizëm”në ligjërimin politik. Objektivi mbeti integrimi i popullatave kurde në komunitetin e ri të Turqisë. Kjo qasje u institucionalizua më vonë nga zhvillimi i centralizuar i shtetit turk, që deri më sot mbetet i bazuar në një konceptim të ngushtë të identitetit nacionalist.
Pas shfaqjes së PKK në vitet 1980, çështja kurde zakonisht është trajtuar si një kërcënim i madh i sigurisë kombëtare, me disa përjashtime të dukshme si Projekti i Anatolisë Juglindore (GAP), lëvizja paqtuese nën drejtimin e ish-presidentit Turgut Ozal në fillim të viteve 1990.
Nëse Ankaraja është vërtet e vendosur të eliminojë PKK, ajo duhet të arrijë një marrëveshje me HDP, ku ta trajtojë atë si një alternativë paqësore ndaj militantizmit ushtarak kurd, dhe t’i garantojë të drejta më të mëdha kësaj pakice të madhe.