TURQIA- Turqia i bëri thirrje të martën Rusisë dhe Ukrainës që të mbajnë infrastrukturën energjetike jashtë luftës, pas sulmeve ukrainase ndaj një terminali rus të naftës dhe anijeve të flotës së errët që Moska përdor për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
“Ne u themi të gjitha palëve, Rusisë dhe Ukrainës: mbajeni infrastrukturën energjetike jashtë kësaj lufte, sepse kjo ka një ndikim të fortë në jetën e përditshme të njerëzve”, u tha gazetarëve ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar.
Duke iu referuar sulmeve ruse dhe ukrainase ndaj infrastrukturës së palës kundërshtare, ministri turk tha se ishte e nevojshme të mbahen rrjedhat e energjisë të pandërprera në Detin e Zi, në ngushticat tona, si dhe në tubacione. Kjo duke paralajmëruar se çdo ndërprerje do të kishte pasoja në tregjet globale.
Ukraina, të cilën Rusia e pushtoi në shkurt të vitit 2022, javën e kaluar nisi një sulm me dron detar ndaj një terminali të madh rus të naftës dhe dy anijeve cisternë të lidhura me Moskën, disa dhjetëra milje detare larg bregdetit të Turqisë në Detin e Zi.
Mediat e huaja shkruajnë se Moska akuzon Ukrainën se ka shënjestruar një anije të tretë në të njëjtat ujëra këtë javë, e cila valëviste një flamur rus dhe mbante vaj luledielli. Por Kievi e ka mohuar këtë akuzë. Duke iu referuar akteve të piraterisë, Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të martën se do ta shkëpusë Ukrainën nga deti.





