TIRANË- Gjykata e Apelit e Tiranës ka shpallur të pafajshëm gjyqtarin Admir Thanza.
NJOFTIM PER MEDIAN
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me datë 12.07.2018 i ka kërkuar Presidencës së Republikës Formularin e Vetëdeklarimit për Garantimin e Integritetit të Persona që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike, plotësuar nga anëtari i Gjykatës së Lartë z. A.TH, i cili dyshohet të këtë kryer veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”. Për shkak se nuk ka deklaruar në Formularin e Vetëdeklarimit vendimin penal të Gjykatës së Pizas, Itali. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale A.TH, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 të K.Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1411, datë 31.05.2019 ka vendosur:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit A.TH për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal dhe në baze të kësaj dispozite, dënimin e tij me 9(nëntë) muaj burgim.
-Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.TH për një periudhë kohe prej 18(tetëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin vendor të Provës Tiranë. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.TH, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Shala dhe anëtarë znj. Emona Muçi dhe znj.Irida Kacerja, me vendimin nr. 853, datë 26.09.2022 vendosi: – Ndryshimin e Vendimit Nr. 1411, date 31.05.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ne kete menyre:
-Deklarimin e pafajshem te te pandehurit A.Th, akuzuar se ka kryer veper penale te parashikuar nga Neni 190/1 te K/Penale.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë u mor nën hetim nga SPAK për fshehje dhe mosdeklarim pasurie. Me vendim të gjykatës së Posaçme, iu sekuestrua për 2 pasuri të paluajtshme në emër të tij, dyqani dhe apartamenti.
Në vitin 2018 Thanza u rrëzua nga procesi i Vettingut. Ai u gjet me probleme në të tria kriteret e rivlerësimit, përfshirë atë të pasurisë, e cila, sipas përfundimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk justifikohej me burime të ligjshme.
Thanza akuzohet se ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por ish-gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë. Bëhej fjalë për vjedhjen e disa rrobave dhe produkteve kozmetike.
“Kam tentuar me sinqeritet maksimal që ta shpjegoj edhe në e-maile, edhe në materialet që kam paraqitur, ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht, kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, është shprehur Thanza para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kohë më parë