Regjisori Petri Bozo ka dëshmuar para autoriteteve pas aksidentit tragjik të ndodhur në Elbasan, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.
Sipas burimeve hetimore, Bozo është arrestuar pas ngjarjes së rëndë, ndërsa në dëshminë e tij ka deklaruar se po lëvizte me shpejtësi të ulët në momentin e aksidentit.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë urbane të qytetit të Elbasanit, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit janë ende nën hetim nga organet kompetente. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.
Vdekja e të miturit ka shkaktuar tronditje të fortë në opinionin publik dhe reagime të shumta në rrjetet sociale. Ndërkohë, autoritetet pritet të publikojnë detaje të tjera pas përfundimit të veprimeve hetimore.
“Kam qenë me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesit të shpejtësisë, ‘policit të shtrirë’ në rrugë. Kam përshëndetur një oficer policie që ndodhej aty. Më pas kam goditur një objekt. Nuk e kam parë çfarë ka qenë, kam tentuar të devijoj kur ndjej përplasjen. Kur kam dalë kam parë fëmijën”, tha Bozo në dëshmi.





