U bllokuan në det pasi anija pësoi defekt pranë ishullit të Sazanit, policia shpëton disa turistë të huaj

0

Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, kanë ndërhyrë për të shpëtuar disa shtetas të huaj, të cilëve ju rrezikua jeta, pasi veliera e tyre pësoi defekt gjatë lundrimit pranë ishullit të Sazanit.

Gjatë mbrëmjes së sotme, Policia Kufitare Vlorë u njoftua nga Qendra Ndërlidhëse për Operacionet Detare, se në afërsi të ishullit të Sazanit ndodhej në rrezik një mjet lundrues tip velier, me flamur të huaj, i nisur nga Italia me destinacion Kroacinë.

Veliera kishte pësuar defekt në motor dhe për shkak të dallgëzimit dhe afërsisë me shkëmbinjtë, rrezikonte përmbytjen dhe përplasjen në breg.

Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, ndërhynë me shpejtësi duke u ardhur në ndihmë shtetasve të huaj që ndodheshin në bord. Falë reagimit të koordinuar dhe të menjëhershëm, u bë e mundur shpëtimi i këtyre shtetasve pa pasoja për jetën dhe transportimi i tyre i sigurt drejt bregut.

Të gjithë personat në bord u konstatuan në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa u bë i mundur edhe tërheqja e velierës në SPK Triport, Vlorë.

Policia Kufitare vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën e menjëhershme në çdo situatë emergjente.