Saimir Tahiri ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Burgun 313, pas dënimit të marrë ditën e sotme nga Apeli i Posaçëm. Mësohet se ish-Ministri i Brendshëm është vendosur në godinën numër 2 në Burgun 313.
Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-Ministrit Saimir TahirI, por me një ndryshim, që 3.4 vite nuk do jenë shërbim prove por do të vuajë dënim në burg.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dënoi në datë 19 shtator 2019 ish-Ministrin Saimir Tahiri me 5 vite burg, që përshkak të gjykimit të shkurtuar u përkthyen në 3.4 vites hërbim prove. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar në fakt 12 vite burg për Tahirin, të cilin e akuzonte për 3 vepra penale: “Abuzim me detyrën”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafik ndërkombëtar droge”.
Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi vetëm akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, duke rrezuar dy akuzat e tjera. Mirëpo, SPAK nuk ka rënë dakord me këtë vendim te vitit 2019 dhe kërkoi dënimin me 12 vite burg për Tahirin. Ky i fundit gjithashtu kishte apeluar vendimin e Krimeve të Rënda, duke kërkuar pafajësinë në Apelin e Posaçëm.
Ditën e sotme, pas 4 orësh seancë, Apeli i Posaçëm vendosi dënimin e Tahirit me 3.4 vite burg, përshkak të provimit të lidhjes së tij me grupin e Habilajve. Menjëherë pas dhënies së vendimit, Tahiri do të prangoset dhe do të dërgohet në burgun 313 në kryeqytet.