U gjetën pajetë në park/ Gruaja ka vdekur më parë, foshnja u mbyt pas dhunës…

0

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen tronditëse të ndodhur në Romë, ku një grua dhe një foshnjë u gjetën të pajetë.

Sipas hetimeve, gruaja mund të ketë vdekur për shkaqe natyrale 4 deri në 7 ditë përpara se të gjendej, ndërsa vajza besohet se është mbytur pas dhunës fizike, mes ditës së enjte dhe së premtes. Një pistë hetimi sugjeron se një person i tretë, ndoshta babai i vajzës, ka qenë i pranishëm në parkun ku ndodheshin nëna dhe foshnja dhe është i dyshuari kryesor për ngjarjen.

Trupi i gruas është gjetur i mbuluar me një qese të zezë plastike, rreth 150 metra larg vendit ku u zbulua foshnja. Dyshohet se ajo është marrë nga një kantier ndërtimi aty pranë, për të fshehur trupin e viktimës.

Sipas rezultateve paraprake të autopsisë, gruaja nuk kishte konsumuar substanca narkotike, megjithatë, hetimet do të vazhdojnë me analiza të thelluara për të zbuluar nëse ajo mund të ketë qenë nën ndikimin e llojeve të tjera të drogave, përfshirë ato sintetike.

Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë mundur të identifikojnë viktimën. Gjurmët e gishtërinjve dhe profili i ADN-së së saj janë dërguar në bazat ndërkombëtare të të dhënave, pasi në databazat kombëtare nuk figuron asnjë e dhënë që mund të ndihmojë në identifikim.

Hetuesit, gjatë kontrollit të zonës ku u gjetën trupat, kanë zbuluar në një kosh mbeturinash një fustan të vogël rozë, që dyshohet se i përkiste foshnjës. Prokuroria shpreson që autori i krimit të ketë lënë gjurmë në këtë fustan ose në objekte të tjera të gjetura pranë trupave.