Është zbardhur dëshmia e Dod Gjokës, 35 vjeçarit i cili një ditë më parë u mor peng nga tre të rinj për t’u lënë më pas i lirë.
Gjoka ka pohuar para forcave blu se ka pasur një konflikt të çastit me 3 persona, por nuk ka pranuar të japë më shumë detaje lidhur me çfarë kanë debatuar të rinjtë.
“Kam pasur një konflikt të çastit me tre persona, por më shumë nuk mund të flas”, ka thënë Dod Gjoka.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në Lezhë, rreth orës 14:10, në vendparkimin e makinave të një lokali në rrugën Lezhë-Milot.
Pasi u mor peng, pas disa orësh ai u la i lirë nga pengmarrësit. Uniformat blu kanë arritur të identifikojnë autorët e ngjarjes dhe po punon për arrestimin e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në perimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga Policia, konkretisht shtetasit K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh. Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit