U zu me socialistët! Çfarë filmoi Malltezi që solli dyshime për parregullsi në Durrës

0

Përfaqësuesi i ‘Shtëpisë së Lirisë’ në Durrës, Jamarbër Malltezi ka denoncuar ditën e sotme një problem që është hasur gjatë procesit të votimit në Durrës. Në një deklaratë për mediat, i shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashki dhe kandidati për bashkinë, Ardian Muka, Malltezi deklaroi se në shkollën ‘Naim Babameto’ ku ka 10 qendra votimi, nuk ka asnjë punonjës policie. Ai u shpreh se kishte fotografuar një nga vëzhgueset që po fotografonte kartat e zgjedhësve brenda qendrës së votimit. Sipas tij, kjo solli përplasje brenda qendrës së votimit, duke bërë që më shumë se 20 militantë të PS-së, t’i merrnin telefonin dhe t’i fshinin videot.

‘Gjatë gjithë ditës nuk ka pasur asnjë prani policie, ndërkohë që në Shkollën ‘Naim Babameto’ ka 10 qendra votimi. Nuk ka ekzistuar asnjë polic i shtetit, por për fat të keq kemi me dhjetëra policë bashkiakë të Durrësit, duke intimiduar zgjedhësit. Jemi njoftuar nga vëzhguesit tanë që këtu bëheshin identifikimi i zgjedhësve brenda në shkollë, që është e paligjshme dhe intimidimi i tyre. Kemi fotografuar një zonjë nga vëzhguesit tanë, e cila fotografonte kartat e zgjedhësve, mesa duket ishin familjarë të punonjësve në bashki, që bënin presion me vendin e punës apo presione të tjera. Mbi bazë të kësaj kemi hyrë dhe kemi filmuar këtë gjë të paligjshme duke i bërë të qartë se identifikimi dhe intimidimi i zgjedhësve brenda qendrave ku votohet është i paligjshëm. Nëse doni të bëni thirrje për votuesit tuaj, dilni jashtë. Brenda në shkollë nuk lejohet. Në atë moment, të paktën 20 militantë të PS-së kanë ardhur, na kanë vjedhur celularët kanë fshirë videot, që është një tjetër veprim i paligjshëm. Nuk ka pasur asnjë punonjës policie dhe e gjithë shkolla ishte lënë në dorë të policëve të bashkisë’, denoncoi Jamarbër Malltezi në emër të ‘Shtëpisë së Lirisë’.

Malltezi tha për mediat se shkoi në Spitallë pas informacioneve se militantë të PS po u bënin presion zgjedhësve. Ai gjithashtu pranoi përplasjen, por shtoi se nuk ishte konfliktuar fizikisht por vetëm verbalisht.

InfowebTv – publikoi foton nga qendra e votimit në Durrës ku shihej fleta e votimit në tavolinën e komisionerëve, e bërë gati me votën për kryetaren aktuale të Bashkisë, Emiriana Sako. Krahas emrit të saj është vendosur një kryq i kuq, për t’u treguar të gjithëve qartë se kush duhet të jetë zgjidhja e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu