Ukraina dhe Rusia drejt luftës? Presidenti Zelenski shpall 16 shkurtin “ditë uniteti”

0

Në periudhën e paralajmërimeve amerikane për pushtim të shpejtë rus, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi ka shpallur 16 shkurtin si ditë të unitetit.

Inteligjenca amerikane ka dhënë shenja se 16 shkurti mund të jetë datë e mundshme e pushtimit rus.

“Neve na është thënë se 16 shkurti do të jetë ditë e pushtimit, por ne do ta bëjmë atë ditë të unitetit”, ka thënë Zelenskyi përmes një video mesazhi më 14 shkurt.

Ukrainasit pritet të mbajnë lart flamujt e shtetit dhe të këndojnë himnin shtetëror.

“T’i tregojmë botës për unitetin tonë”, ka thënë Zelenskyi.

Franca paralajmëron se Rusia është gati për pushtim të Ukrainës
Disa orë pasi ka bërë deklaratën për 16 shkurtin, Zelenskyi ka sqaruar deklaratën e tij, duke thënë se vetëm u është referuar raportimeve në media për sulm të mundshëm.

Zëdhënësi i tij, Sergii Nykyforov, ka thënë se presidenti ukrainas, i cili më parë ka qenë komedian, vetëm ka thënë atë që është raportuar gjithandej.

“Presidenti i është referuar datës që është përhapur në media”, ka thënë ky zëdhënës për NBC News.

I pyetur për referencën e Zelenskyit për 16 shkurtin, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se nuk do të diskutojë detaje specifike të inteligjencës mirëpo sipas tij “është plotësisht e mundshme që ai të bëjë lëvizje me pak apo aspak paralajmërim”.

Megjithatë, Kirby ka thënë se Shtetet e Bashkuara ende nuk besojnë se Moska ka marrë vendim përfundimtar nëse do të pushtojë Ukrainën.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz udhëton të martën në Moskë për të biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, teksa lideri gjerman bën përpjekje për të bindur Kremlinin që të zgjedhë diplomacinë në kohën e rritjes së tensioneve për pozicionimin e trupave ruse afër Ukrainës.

Udhëtimi i Scholzit në kryeqytetin rus vjen pas një vizitave të ngjashme që kanë zhvilluar në Kremlin presidenti francez, Emmanuel Macron dhe dy ministra britanikë.

Macron sheh “rrugë përpara” në krizën rreth Ukrainës
Scholz, i cili është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për dy orë, më 14 shkurt, në Kiev, ka thënë se nuk sheh “arsye” për aktivitet ushtarak të Rusisë në kufi me Ukrainën.

Scholz i ka bërë thirrje Rusisë të marrë masa drejt uljes së tensioneve të nxitura, pasi Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se 130,000 ushtarë gjenden afër kufirit me Ukrainën.

“Ne jemi të gatshëm për dialog serioz me Rusinë në çështjet e sigurisë evropiane”, ka thënë Scholz në një konferencë për media pasi ka takuar Zelenskyin.

Scholz dhe Putin pritet të diskutojnë edhe për Rrjedhën Veriore 2, gazsjellësin e ri që është ndërtuar për të dërguar gazin natyror nga Rusia në Gjermani.

Projekti është finalizuar, por ende nuk ka miratim për funksionalizim.

Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar javën e kaluar se “do t’i japë fund” gazsjellësit në rast të pushtimit rus, mirëpo Scholz nuk ka shkuar aq larg me komente pasi ka takuar Bidenin, duke thënë se Gjermania dhe SHBA-ja do të veprojnë së bashku në rast të pushtimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu