Ukraina nuk ndalet, pas avionëve hedhin në erë me eksploziv urën e Krimesë

0

Shërbimet Sekrete Ukrainase goditën një shtyllë nënujore në një operacion të përgatitur mirë. Trafiku në urën e Krimesë është ndërprerë përgjatë gjithë gjatësisë së saj, ndërsa forcat ruse janë në gatishmëri të kuqe.

Shërbimet e inteligjencës ukrainase njoftuan të martën se kanë goditur për herë të tretë që nga fillimi i luftës, urën që lidh Rusinë me rajonin e Krimesë.

Tre ditë pas sulmit ndaj bazave ajrore të vendosura thellë në territorin rus, ku u shkatërruan 41 avionë bombardues, me kosto 7 miliardë dollarë, SBU-ja përdori eksplozivë ekuivalentë me 1,100 kilogramë TNT për të hedhur në erë një nga këmbët e urës.

Ukrainasit madje publikuan një video që tregonte një shpërthim nënujor në njërën nga shtyllat kryesore të urës. Natyrisht, trafiku në urë është pezulluar përgjatë gjithë gjatësisë së saj, ndërsa forcat ruse janë në gatishmëri.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës njoftoi se operacioni ishte përgatitur prej muajsh dhe shkaktoi “dëme të konsiderueshme strukturore”, duke e lënë në një “gjendje kritike” të vetmen rrugë lidhëse mes rajonit dhe Moskës.

Kreu i SBU-së, Vasyl Malyuk, deklaroi se ura “mbetet një objektiv legjitim ushtarak për shkak të përdorimit të saj nga forcat ruse për mbështetje logjistike”, duke shtuar se “Krimea është Ukrainë” dhe duke paralajmëruar se “çdo simbol ose mjet pushtimi do të vuajë pasojat”.