Transporti i mallrave nga deti dhe hekurudha ka pësuar rënie në janar 2022 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë që nga ajri transporti i mallrave ka shënuar rritje. Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) për muajin e parë të vitit tregojnë se volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin Janar 2022 është 287,2 mijë ton, duke u ulur me 21,5 %, krahasuar me Janar 2021.
“Në muajin Janar 2022, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.726 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 35,4 %, krahasuar me Janar 2021.
Në muajin Janar 2022, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 159,5 ton, duke u rritur 7,2 % në krahasim me Janar 2021. Në Janar 2022, numri i fluturimeve të kryera është 2.242, duke u rritur 2,2 herë në krahasim me muajin Janar 2021”thuhet në publikim.
Numri i pasagjerëve nga ana tjetër ka shënuar rritje si nga linjat detare edhe nga ato ajrore.
“Në Janar 2022, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 53.187 pasagjerë. Krahasuar me Janar 2021, ky tregues është rritur 46,8 %.
Në muajin Janar 2022, transporti ajror i pasagjerëve zë 82,4 % të transportit gjithsej.Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Janar 2022 është 251.243 pasagjerë, duke u rritur me 2,9 herë, krahasuar me Janar 2021” thuhet në publikimin e INSTAT.
Eksportet/importet e mallrave sipas mënyrës së transportit
“Në Janar 2022, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 90,0 mld lekë dhe 51,4 % e tyre u transportua me det.
Në Janar 2022, mallrat e eksportuara me det zënë 53,0 %, me rrugë 32,5 % dhe me ajër 0,2 %. Mallrat e eksportuara me rrugë në Janar 2022 janë rritur me 44,3 %, krahasuar me Janar 2021.
Në Janar 2022 mallrat e importuara me det zënë 50,4 %, me rrugë 41,5 % dhe me ajër 2,9 %. Mallrat e importuara me rrugë në Janar 2022 janë rritur me 20,8 %, krahasuar me Janar 2021” sipas INSTAT./MONITOR