Një 17-vjeçar italian që vrau të dy prindërit dhe vëllain e tij 12-vjeçar ka rrëfyer krimin makabër si dhe arsyet që sipas tij e shtynë.
Ngjarja e rëndë ndodhi midis 31 gushtit dhe 1 shtatorit në banesën pranë Milanos, dyshohet teksa familjarët ishin duke fjetur, 17-vjeçari i qëlloi me thikë në gjumë.
Në fillim ai tha para policëve se krimin e rëndë e kreu babai i tij që më pas vrau veten, por nën trysninë e pyetjeve ai rrëfeu më pas të vërtetën duke thënë “i vrava unë”.
Ai ka thënë se ndihej si “një trup i huaj në shtëpi” dhe se kishte menduar për vrasjen e trefishtë “për një kohë të gjatë”.
“Asgjë e veçantë nuk ndodhi të shtunën në mbrëmje. Por unë e kisha menduar për një kohë, ishte diçka që e kisha mbajtur brenda vetes”, rrëfeu ai. Shtatëmbëdhjetë vjeçari i arrestuar nga karabinierët për masakrën familjare që ndodhi në Paderno Dugnano, gjatë marrjes në pyetje ka shfaqur shenja të asaj që ai e përkufizoi si “keqardhje”. Duke folur për një ndjenjë “shtypjeje” që e bëri atë të godiste me thikë për vdekje babanë, nënën dhe vëllain e vogël.
Ai tha se ishte i shqetësuar, jo vetëm me familjen e tij, por me shoqërinë në përgjithësi. Ai gjithashtu tha se donte të luftonte në Ukrainë.