Policia e Tiranës mori në pyetje shoqen e dhomës së 22-vjeçares Joy Ayoko, e cila dyshohet se u dhunua dhe hodh nga dritarja e dhomës së hostelit ku jetonte në Gusht të 2022, për të humbur jetën 6 muaj më vonë në vendlindjen e saj. Pas marrjes në pyetje të shoferit të kazinosë ku punonte viktima, Rodi Braçi, është marrë në pyetje edhe shoqja e saj. Togat e zeza lëshuan disa urdhra për t’u marrë në pyetje, mes tyre ishte dhe ai i Emily Mutua. Burime nga grupi hetimor bëjën me dije se me herën e dytë të marrjes në pyetje, ajo ka dhënë detaje të reja për Policinë dhe Prokurorinë, të cilat mund të jenë ndihmuese në zbardhjen e të vërtetës për të ndjerën. Kjo pasi ishte pikërisht ajo që e gjeti trupin e Joy-t poshtë dritares së apartamentit të saj.
Një ditë më parë, shoferi i kazinosë, i cili dyshohet të jetë një nga kontaktet e fundit që keniania ka patur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, tha se e kishte lënë në vendin ku ato qëndronin, por ka mohuar se mes tyre ka pasur konflikte. Ndërsa mamaja e të resë nga Kenia, Ruth Abongo, tha në një intervistë për mediat se 4 ditë para ngjarjes së rëndë se vajza kishte udhëtuar me 32-vjeçarin Rodi Barci, në Durrës, e po sipas saj, e bija i kishte thënë se shoferi i kishte qëndruar shumë pranë, sjellje e cila s’i kishte pëlqyer të resë.
Por çfarë i ka ndodhur Joy-t?
Joy u zhduk më 13 gusht 2022 nga ora 03:25 e mëngjesit deri rreth orës 07:00 të mëngjesit. Ajo u gjet në gjendje të rëndë poshtë pallatit ku banonte në kat të dytë, por ngjarja është e mbuluar me mister. A ra aksidentalisht Joy apo ka ndodhur diçka tjetër? Ruth, nëna e Joyt thotë se nuk ka marrë asnjë të dhënë nga policia për ngjarjen. Ndërkohë është zbuluar se ajo është dhunuar e më pas hedhur nga ballkoni. Policia ka marrë në pyetje shokët e dhomës së Joy. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia për të zbuluar se çfarë i ka ndodhur në të vërtetë vajzës nga Kenia.