Presidenti Meta ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Presidentit të klubit të Futbollit Elbasani, Arben Laze. Në mesazhin e tij në Facebook, Meta shkruan se vdekja e Lazes është një humbje e madhe për familjen dhe për komunitetin sportiv në vendin tonë.
Postimi i plotë i Presidentit Meta:
Ndarja e papritur dhe e parakohshme nga jeta e Arben Lazes, Presidentit të ekipit të Elbasanit, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen e tij, por edhe për komunitetin sportiv në vendin tonë. Mirënjohje për ndihmesën bujare dhe angazhimin e palodhur të dhënë ndër vite për zhvillimin cilësor të futbollit, veçanërisht për bashkëpunimin e vendosur me qëllim vlerësimin e personaliteteve të shquara sportive të Elbasanit. Ngushëllimet më të ndjera familjes Laze, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve, ekipit të Elbasanit, si dhe sportdashësve të këtij qyteti, me emër të madh në historinë e futbollit shqiptar!